Shtëpia
|      

Veliaj merr titullin e Doctor Honoris Causa në Shërbimet Publike

E Hene, 1 Maj 2017

                        Facebook    Google    LinkedIn    Twitter    Yahoo
Kreu i Bashkise Tirane, Erion Veliaj
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori titullin “Doctor Honoris Causa” nga “Grand Valley State University” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe ka kryer studimet e larta. Në ditën e dytë të vizitës në Miçigan, Veliaj ka qenë i ftuari i nderit në ceremoninë e diplomimit të 3 mijë studentëve të “Grand Valley State University”, ku edhe mori titullin për kontributin e tij në shërbimet publike. Titulli iu dorëzua nga Presidenti i “Grand Valley State University”, Thomas J. Haas, i cili e vlerësoi Veliajn si një histori suksesi të studentëve që kanë mbaruar studimet në “Grand Valley State University” dhe vuri në dukje kontributin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës në përmirësimin e jetës së qytetarëve - raporton Tirana.al

“Shumë studentë vendosën të qëndrojnë në SHBA dhe pyetja ime ishte: Duhet të bëhem një motor në një makinë të vogël të fuqishme apo duhet të bëhem kaçavida në një makineri gjigante si Shtetet e Bashkuara. Ndaj mora vendimin që të kthehesha dhe nuk ishte një vendim i lehtë, por ishte vendimi më i mirë që kam bërë ndonjëherë”, tha Veliaj. Më tej, ai iu drejtua studentëve të pranishëm se pavarësisht mundësive apo rezultateve që mund të arrijnë në shkollë, për çdo të ri është e rëndësishme të qenit pozitiv. “Ekziston një sëmundje për të cilën nuk ka kurë: cinizmi, ata që thonë “jo”, që thonë se “nuk mund të bëhet”. Ka shumë ekspertë që specializohen për të të shpjeguar pse gjërat nuk mund të bëhen, pse ti nuk je i mirë mjaftueshëm, pse nuk mund ta ndryshosh botën, pse është kaq e vështirë për të arritur progres. Unë mendoj se kjo është absolutisht e gabuar. Nëse ti jeton në këtë vend, ky është vendi që dërgoi njeriun në hënë, ky është vendi që zgjodhi një afro-amerikan për President, atëherë kur askush nuk e mendonte që kjo ishte e mundur. Ndaj, këshilla ime është: nuk ka rëndësi se çfarë thonë njerëzit, mos u bëni me cinikët, mos u bëni idhnakë, bëhuni entuziastë”, theksoi Veliaj, në fjalën e tij para 3 mijë të diplomuarve të “Grand Valley State University”.